Rreth 350 mijë qytetarë dolën të dielën në rrugët e Pragës, në një protestë masive kundër planit të qeverisë së kryeministrit çek Andrej Babiš për ndryshimin e mënyrës së financimit të mediave publike.
Protestuesit kundërshtojnë nismën, duke paralajmëruar se ajo mund të cenojë pavarësinë e televizionit dhe radios publike, si dhe lirinë e medias në vend.
Protesta u zhvillua në parkun Letná, një prej vendeve më simbolike të historisë moderne çeke. Në të njëjtin park u mblodhën turma të mëdha qytetarësh gjatë Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, që i dha fund më shumë se katër dekadave të sundimit komunist.
Sipas organizatorit Mikuláš Minář, nga lëvizja “Milionë Momente për Demokracinë”, në protestë morën pjesë rreth 350 mijë persona. Tubimi u mbajt dy ditë para përvjetorit të protestave të vitit 1989.
Protestuesit kërkuan tërheqjen e projektit qeveritar, duke kundërshtuar çdo ndryshim që, sipas tyre, mund t'i vendosë mediat publike nën ndikimin e drejtpërdrejtë të pushtetit politik.
“Po dëshmojmë diçka të jashtëzakonshme. Kjo është vetëm fillimi”, deklaroi Minář para turmës.
Çfarë parashikon reforma?
Plani i qeverisë parashikon që televizioni dhe radioja publike çeke të mos financohen më përmes tarifave që paguajnë qytetarët dhe bizneset, por drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.
Sipas parashikimeve, ky ndryshim do të shoqërohet me një ulje prej rreth 15 për qind të financimit për mediat publike. Kjo mund të sjellë shkurtime të stafit, më pak prodhime televizive dhe radiofonike, si dhe anulimin e disa programeve.
Kritikët e projektit paralajmërojnë se kalimi i financimit nën kontrollin e buxhetit shtetëror mund t'i japë qeverisë më shumë ndikim mbi mediat publike. Ata shprehin shqetësimin se vendi mund të ndjekë shembujt e Sllovakisë dhe Hungarisë, ku janë ngritur kritika për ndërhyrjen e pushtetit në median e pavarur.
Protesta e së dielës, e cilësuar si më e madhja në Pragë që nga viti 1989, shënon një mobilizim të gjerë qytetar në mbrojtje të pavarësisë së mediave publike.
Mesazhi i protestuesve ishte i qartë: financimi i mediave publike nuk duhet të kthehet në një instrument të kontrollit politik.