Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kosovë, ku Blerta Hyseni, e lindur në vitin 2000, ka ndërruar jetë pas përkeqësimit të papritur të gjendjes shëndetësore gjatë qëndrimit në polici, pas një operacioni antidrogë në Vërmicë.
E reja ishte ndaluar së bashku me Adnan Podvoricën, të lindur në vitin 1978, pasi policia kishte kontrolluar një veturë BMW X6 të kuqe, me të cilën ata kishin hyrë nga Shqipëria në Kosovë. Gjatë kontrollit, hetuesit sekuestruan 105.7 gramë substancë të dyshuar kokainë, dy fishekë, dy telefona dhe automjetin.
Sipas informacioneve të publikuara, gjatë përgatitjeve për intervistim, në prani të avokatit mbrojtës, Blertës iu përkeqësua papritur gjendja shëndetësore, duke shfaqur simptoma të ngjashme me krizat epileptike.
Policia kërkoi menjëherë ndihmën mjekësore, ndërsa e reja u transportua në Emergjencë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ajo ndërroi jetë rreth orës 01:30 pas mesnatës.
Vdekja e Blerta Hysenit ka nxitur nisjen e një hetimi të veçantë nga autoritetet në Prizren. Shkaku i saktë i vdekjes mbetet ende i paqartë dhe pritet të përcaktohet nga organet kompetente.
Ndërkohë, hetimet lidhur me substancën e dyshuar narkotike të sekuestruar gjatë operacionit po vazhdojnë.