Një qytetare nga Fieri i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar ndotjen e rëndë të mjedisit, pas një shëtitjeje që kishte bërë ditën e djeshme në natyrë.
Sipas denoncimit të saj, ajo që duhej të ishte një hapësirë e gjelbër dhe e pastër, ishte kthyer në një zonë të ndotur, ku në vend të aromës së natyrës ndihej erë e fortë nafte.
Qytetarja thotë se lumi ishte mbuluar nga një lëndë e zezë, që dyshohet të jetë naftë, duke ngritur dyshime për shkarkime të paligjshme nga ndonjë subjekt privat.
Ajo shprehet e shqetësuar se kjo situatë përsëritet çdo ditë, ndërsa në qytet ndihet edhe aroma e mbetjeve që digjen, pa u marrë, sipas saj, asnjë masë konkrete ndaj përgjegjësve.
Përmes pamjeve të dërguara në redaksinë tonë, qytetarja kërkon vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, që të identifikojnë burimin e ndotjes dhe të marrin masa ndaj personave apo subjekteve që mund të jenë përgjegjëse.
Kush po e ndot natyrën në Fier dhe kur do të ketë një reagim nga institucionet përkatëse?