Bie në pranga ish-ministri Astrit Haraqija! Dyshohet për përfshirje në grupin e trafikut të kokainës në Prishtinë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.11.2026, 13:56

Ish-ministri i Kulturës dhe ish-anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Astrit Haraqija, raportohet se është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në një grup të organizuar të trafikimit të drogës.

Haraqija raportohet se është njëri nga gjashtë personat e arrestuar gjatë operacionit antidrogë të koduar “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën në rajonin e Prishtinës. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.

Gjatë aksionit, të realizuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, 16 mijë euro para të gatshme dhe gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Porsche, Audi dhe Mercedes GLE.

Policia ka konfiskuar gjithashtu ora luksoze Rolex e Franck Muller, stoli të çmuara, armë, municion, telefona dhe pajisje të tjera. Vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve të sekuestruara llogaritet në rreth 301 mijë euro.

Operacioni është zhvilluar pas hetimeve të gjata, ndërsa autoritetet dyshojnë se grupi funksiononte me strukturë hierarkike, nga organizatorët deri te shpërndarësit e drogës në rrugë.

Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Përfshirja e Haraqijës në veprimtari kriminale mbetet dyshim dhe ai gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit