Goditet grupi i dyshuar i trafikut të kokainës në Prishtinë, 6 të arrestuar dhe 301 mijë euro pasuri të sekuestruara!

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.11.2026, 13:47

“Heshtja” trondit Prishtinën! Sekuestrohen kokainë, Maybach, Porsche e Rolex, goditet grupi i dyshuar kriminal me pasuri 301 mijë euro.

Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, ku Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka goditur një grup të dyshuar kriminal që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.

Operacioni i koduar “Heshtja”, i realizuar më 14 nëntor, ka përfunduar me arrestimin e gjashtë personave, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Sipas Policisë, grupi dyshohet se funksiononte me një strukturë të organizuar, nga drejtuesit deri te shpërndarësit e drogës në rrugë.

Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, sasi të tjera narkotikësh, përfshirë marihuanë dhe tableta të dyshuara ekstazie, si dhe rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme.

Por ajo që bie në sy është luksi i pasurive të sekuestruara. Policia ka konfiskuar gjashtë automjete, mes tyre Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan. Gjithashtu janë gjetur ora luksoze Rolex e Franck Muller, stoli të çmuara, telefona, pajisje komunikimi, armë zjarri, municion dhe pajisje për paketimin e drogës.

Sipas vlerësimeve policore, kokaina e sekuestruar mund të kapte vlerën e rreth 111 mijë eurove në tregun e rrugës, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe pasurive të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.

Me vendim të prokurorit, gjashtë të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Operacioni ka nxjerrë në pah dyshimet për një rrjet të organizuar të shpërndarjes së narkotikëve, ku krahas drogës janë sekuestruar edhe automjete e sende luksoze me vlera të konsiderueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit