Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prizren, ku 59-vjeçari Kujtim Arifaj, i cili ishte kthyer nga Gjermania vetëm një javë më parë, është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
Arifaj jetonte dhe punonte prej kohësh në Gjermani, ndërsa në Kosovë kishte ardhur për të përfunduar disa çështje që lidheshin me dokumentacionin e pronës.
59-vjeçari u gjet i pajetë pasditen e së shtunës në shtëpinë ku po qëndronte, në rrugën “Aziz Kelmendi” në Prizren. Familjarët ishin shqetësuar pasi nuk po arrinin të komunikonin me të përmes telefonit.
Pas disa thirrjeve pa përgjigje, nipi i tij kishte vendosur të shkonte në banesë për të kontrolluar gjendjen e xhaxhait. Fatkeqësisht, sapo kishte hyrë brenda, e kishte gjetur të shtrirë në dysheme, pa shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet mjekësore, të cilat kanë konstatuar vdekjen e 59-vjeçarit. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion, me kërkesë të familjarëve, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Policia e Kosovës e ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, ndërsa rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta.
Një udhëtim drejt vendlindjes për të përfunduar disa punë pronësore përfundoi tragjikisht për 59-vjeçarin, duke lënë në pikëllim familjen dhe të afërmit e tij.
Ngushëllime familjes!