Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje në Prizren, ku një 59-vjeçar, i cili kishte ardhur nga Gjermania për të rregulluar dokumentet e pronës, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.
Viktima është Kujtim Arifaj, 59 vjeç, i cili jetonte dhe punonte në Gjermani. Ai ishte kthyer në Kosovë vetëm një javë më parë, për të përfunduar disa çështje që lidheshin me pronën e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 14 nëntor, rreth orës 17:00, në rrugën “Aziz Kelmendi” në Prizren.
Familjarët ishin shqetësuar pasi nuk po arrinin të kontaktonin me të. Nipi i 59-vjeçarit, pas disa telefonatave pa përgjigje, kishte vendosur të shkonte në banesën e xhaxhait për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Fatkeqësisht, kur kishte hyrë brenda, e kishte gjetur atë të shtrirë në dysheme, pa shenja jete. Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e Emergjencës dhe Policia e Kosovës. Mjekët kanë konstatuar vdekjen, ndërsa hetuesit kanë nisur procedurat për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Me kërkesë të familjarëve, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan në humbjen e jetës së 59-vjeçarit.
Një udhëtim drejt vendlindjes për të përfunduar disa punë pronësore përfundoi në tragjedi, duke lënë familjarët përballë një humbjeje të rëndë.
Ngushëllime familjes dhe të afërmve!