Aksidenti tragjik në aksin Thumanë-Fushë Krujë, humb jetën “Mjeshtri i Madh” Paulin Filopati

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.11.2026, 22:44

Është mësuar identiteti i 65-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur këtë të shtunë në aksin e vjetër Thumanë–Fushë Krujë. Viktima është Paulin Filopati, artist i njohur i Ansamblit Mirdita (Mjeshtër i Madh).

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur komunitetin artistik dhe njerëzit që e njihnin, pasi Filopati ishte një emër i lidhur ngushtë me muzikën dhe folklorin tradicional të Mirditës.

Ai ishte pjesë e Grupit të Burrave të Ansamblit “Mirdita”, si dhe artist i Grupit “Kthella”, duke kontribuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e traditës muzikore të trevës. Paulini ishte gjithashtu njëri prej tre vëllezërve Filopati, së bashku me Gjovalinin dhe Pashkun, të njohur për kontributin e tyre në muzikën mirditore.

Në momentin e aksidentit pranë tij ndodhej edhe bashkëshortja, e cila fatmirësisht nuk pësoi lëndime. Lajmin e trishtë e ka ndarë edhe miku i tij, Gjergj Marku.

Ceremonia mortore do të zhvillohet në Katedralen e Rrëshenit, ndërsa varrimi është parashikuar të mbahet të hënën, më 16 nëntor, në orën 12:00, në varrezat e Kodër Rrëshenit.

Ndarja e tij nga jeta lë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe komuniteti artistik, por edhe kujtimin e një njeriu që ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës muzikës dhe traditës mirditore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit