Një thirrje prekëse i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, nga Vlora Vuqiterna, nëna e një vajze që vuan nga fibroza cistike. Ajo kërkon me urgjencë sigurimin e terapisë Trikafta (Kaftrio), një trajtim shumë të rëndësishëm për pacientët që përballen me këtë sëmundje të rëndë.
Në letrën e saj publike, nëna shpreh zhgënjimin për mungesën e zgjidhjes, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të familjarëve dhe Shoqatës së Fibrozës Cistike. Ajo thekson se është edhe bashkëpartiake e ministrit Vitia, por kërkon që shëndeti i fëmijëve të trajtohet si prioritet dhe jo si çështje politike.
“Frymëmarrja nuk është luks. Është e drejtë e çdo fëmije! Fëmijët tanë kanë nevojë të marrin frymë!”, është mesazhi i fortë që ajo i drejton ministrit.
Sipas Vuqiternës, mungesa e kësaj terapie po i shtyn shumë familje të mendojnë largimin nga Kosova, jo sepse dëshirojnë të emigrojnë, por sepse kërkojnë mundësi më të mira trajtimi për fëmijët e tyre. Ajo thekson se terapia është e qasshme në vende të rajonit, ndërsa pacientët në Kosovë vazhdojnë të presin.
Nëna tregon se në Kosovë kanë qenë të regjistruar mbi 170 pacientë me fibrozë cistike, ndërsa aktualisht, sipas saj, janë rreth 60 persona që përballen me këtë sëmundje. Edhe pse e pranon se kostoja e terapisë është e lartë, ajo kërkon nga institucionet që të gjejnë një zgjidhje.
“Ne nuk po kërkojmë privilegj. Po kërkojmë të drejtën për jetë, frymëmarrje dhe trajtim dinjitoz për fëmijët tanë”, shkruan Vuqiterna.
Pas vitesh kërkesash dhe pritjesh, familjet vazhdojnë të kërkojnë përgjigje konkrete nga Ministria e Shëndetësisë.
Deri kur do të presin këta fëmijë për terapinë që mund t'ua përmirësojë jetën? A do ta dëgjojë ministri Vitia thirrjen e nënave që po luftojnë çdo ditë për shëndetin e fëmijëve të tyre?