Ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, është parë në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke ndjekur nga afër ndeshjen mes Kosovës dhe Izraelit. Ai ka publikuar edhe fotografi në rrjetet sociale, duke konfirmuar praninë e tij në tribunat e stadiumit.
Më 5 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar ndaj Berishës masën e arrestit shtëpiak për një muaj, pasi ai dyshohet për veprën penale “Dhunë në familje” ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Megjithatë, prania e tij në stadium nuk përbën domosdoshmërisht shkelje të masës së sigurisë. Gjykata e Apelit ka pranuar ankesën e mbrojtjes dhe ka zëvendësuar arrestin shtëpiak me masën e ndalimit për t’iu afruar personit të caktuar.
Kështu, Berisha ka mundur ta ndjekë ndeshjen nga stadiumi, ndërkohë që vazhdon të jetë i pezulluar nga pozita e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë.