Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar këtë të shtunë seancën e fundit stërvitore në prag të udhëtimit drejt Budapestit, ku të dielën do të përballet me Bjellorusinë në ndeshjen që mbyll këtë edicion të UEFA Nations League.
Në stërvitjen e paradites morën pjesë 26 futbollistë, ndërsa Ernest Muçi u stërvit veçmas në palestër dhe nuk iu bashkua pjesës tjetër të skuadrës në fushë.
Pjesa tjetër e grupit zhvilloi ushtrime të fokusuara te aspektet tekniko-taktike, si dhe te provat e goditjeve standarde, në funksion të përgatitjeve për sfidën e radhës.
Kuqezinjtë synojnë ta mbyllin këtë edicion të Nations League në vendin e parë të grupit. Për të siguruar këtë objektiv, Shqipërisë i mjafton edhe një barazim në përballjen me Bjellorusinë.
Ndeshja do të luhet të dielën, në orën 18:00, në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest, ndërsa takimi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve në tribuna.