Disa lagje të Prishtinës kanë mbetur përkohësisht pa ujë të pijshëm, pasi një gyp i ujësjellësit me diametër DN 200 ka pësuar defekt në zonën e Hajvalisë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ndërprerja e furnizimit ka prekur disa zona të kryeqytetit, përfshirë Veternikun, zonën afër Gorenjes, zonën te Rezonanca, si dhe lagjet Qershia, Qëndresa dhe Nic.
Sipas kompanisë, ekipet teknike kanë dalë në terren dhe po punojnë për sanimin e gypit të dëmtuar, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë të pijshëm.
Ende nuk është bërë e ditur koha e saktë se kur do të normalizohet furnizimi në të gjitha zonat e prekura.
Ndërprerja ka shkaktuar vështirësi për banorët e këtyre lagjeve, të cilët po presin rikthimin e ujit në banesat e tyre.