E pabesueshme në Kosovë! Lopa hyri të kulloste në oborrin e Gjykatës, pronari përfundon në ndalim për 48 orë!

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 14.11.2026, 13:52

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Graçanicë të Kosovës, ku një 59-vjeçar ka përfunduar në ndalim për 48 orë, pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës dhe kishte dëmtuar një pjesë të gjelbërimit. Rasti ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi proporcionalitetin e vendimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ngjarja ka ndodhur të premten, më 13 nëntor, rreth orës 16:00, kur Policia është njoftuar se një lopë kishte hyrë në hapësirat e Degës së Gjykatës Themelore në Graçanicë. Në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë takuar gjyqtarin Sinisha Borisavljeviq dhe pronarin e kafshës, Hashim Miftarin, 59 vjeç, nga Hajvalia.

Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor të Graçanicës për të dhënë deklaratat e tyre. Gjyqtari ka treguar se punonjësit e sigurimit i kishin larguar kafshët nga oborri tri deri në katër herë gjatë ditës dhe se incidente të ngjashme kishin ndodhur edhe më parë. Sipas tij, në një rast tjetër në oborrin e Gjykatës kishin hyrë edhe rreth 15 dhi.

Megjithatë, ajo që e bën edhe më të çuditshëm rastin është deklarata e vetë gjyqtarit, i cili ka theksuar se dëmi i shkaktuar në gjelbërim ishte minimal dhe se Policinë e kishte njoftuar vetëm për t'i tërhequr vëmendjen pronarit që të kujdesej më mirë për kafshët.

Nga ana tjetër, 59-vjeçari ka deklaruar se lopa i kishte humbur dhe se kjo ishte hera e parë që ajo hynte në oborrin e Gjykatës.

Pavarësisht këtyre rrethanave, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka urdhëruar ndalimin e Miftarit për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, sipas nenit 321 të Kodit Penal të Kosovës.

Vendimi ka ngritur shqetësime lidhur me domosdoshmërinë e privimit nga liria për një incident të tillë, veçanërisht kur dëmi është përshkruar si minimal nga vetë pala ankuese. Sipas informacioneve të raportuara, në dokumentacionin policor nuk është dhënë një arsyetim konkret përse ishte i nevojshëm ndalimi 48-orësh.

Rasti rikthen në vëmendje një pyetje të rëndësishme për institucionet e drejtësisë: A ishte vërtet i domosdoshëm ndalimi i një qytetari për shkak se lopa e tij kishte hyrë të kulloste në oborrin e Gjykatës?

Prokuroria Themelore në Prishtinë pritet të sqarojë bazën dhe arsyet e këtij vendimi, ndërsa 59-vjeçari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.

Një lopë hyn në oborrin e Gjykatës, dëmi cilësohet minimal, por pronari përfundon në ndalim për 48 orë. A është ky një vendim proporcional apo një teprim i institucioneve të drejtësisë?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit