Mjaftuan disa orë reshje shiu që tuneli i Kurrizit, në lagjen Dardania të Prishtinës, të mbushej pjesërisht me ujë, duke ngritur pikëpyetje serioze për cilësinë e investimit milionësh të Komunës së Prishtinës.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë grumbullimin e ujit brenda tunelit, i cili ishte renovuar me një investim prej mbi 1.2 milionë eurosh dhe ishte promovuar me bujë të madhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Më 28 qershor 2025, Rama kishte marrë pjesë në përurimin e tunelit, duke e prezantuar projektin si një transformim modern të një prej hapësirave më të njohura të kryeqytetit. Qytetarëve u ishin premtuar ndriçim modern, ventilim, shtigje për biçikleta dhe hapësira për aktivitete kulturore.
Kontrata fillestare për renovimin e tunelit kishte vlerën prej 1 milion e 229 mijë eurosh, ndërsa sipas raportimeve të mëhershme ishte lidhur edhe një kontratë shtesë prej mbi 120 mijë eurosh.
Por pamjet pas reshjeve të fundit kanë rikthyer debatin mbi mënyrën se si shpenzohen paratë publike dhe cilësinë e punimeve në kryeqytet.
Një projekt që kushtoi mbi një milion euro tashmë përballet me pikëpyetje për funksionimin e sistemit të drenazhimit dhe mirëmbajtjen.
Ende nuk dihet nëse grumbullimi i ujit është pasojë e mangësive gjatë realizimit të projektit apo e problemeve me mirëmbajtjen.
Komuna e Prishtinës pritet të japë sqarime për situatën.
Mbi 1.2 milionë euro investim, ndërsa qytetarët përballen me një tunel të mbushur me ujë pas shiut. A është kjo cilësia e punimeve që meritojnë taksapaguesit e Prishtinës?