Qytetarët e disa zonave të Kosovës do të përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike gjatë ditës së nesërme, më 14 nëntor.
KEDS ka paralajmëruar se në Prishtinë, Podujevë dhe Malishevë do të ketë ndërprerje të planifikuara për shkak të punimeve në rrjetin elektrik.
Në disa pjesë të kryeqytetit, qytetarët pritet të mbeten pa rrymë për plot 9 orë e gjysmë.
Situata më e rënduar pritet të jetë në lagjen Arbëria të Prishtinës, ku pjesë të rrugëve “Bekim Berisha” dhe “Ahmet Krasniqi” do të mbeten pa energji nga ora 08:30 deri në 18:00. Sipas KEDS-it, ndërprerja lidhet me punimet investive dhe zhvendosjen e një ormani elektrik. Ndërkohë, në Podujevë, nga ora 10:00 deri në 13:00, pa rrymë pritet të mbeten Llausha, Metehi, Kërpimehu, Pakashtica e Ulët, Dumnica e Ulët dhe Dubnica.
Edhe në Malishevë ndërprerjet janë planifikuar në të njëjtin orar, duke prekur qytetin dhe dhjetëra fshatra, mes tyre Kijevën, Bellanicën, Dragobilin, Banjën, Mirushën, Llapçevën, Lubizhdën, Turjakën dhe lokalitete të tjera.
KEDS ka arsyetuar ndërprerjet me nevojën për përmirësimin dhe sigurinë e rrjetit elektrik. Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset në zonat e prekura do të duhet të përshtatin aktivitetet e tyre me oraret e paralajmëruara.
Kohëzgjatja e ndërprerjeve mund të ndryshojë në varësi të ecurisë së punimeve.