Nuk iu ndal në pikëkontroll, polici e qëlloi me armë! Korab Pepaj dënohet sërish me 3 vite burg për tentim vrasjen e serbit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.11.2026, 18:21

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar sërish me 3 vite burgim policin e Kosovës, Korab Pepaj, për veprën penale të vrasjes në tentativë ndaj Milan Jovanoviqit.

Vendimi është marrë këtë të premte, më 13 nëntor 2026, pas rigjykimit të rastit që lidhet me një incident të armatosur në prill të vitit 2023, te pika e kontrollit policor në Urën e Bistricës, në veri të Kosovës.

Sipas aktakuzës, Jovanoviqi po udhëtonte në rrugën Leposaviq–Mitrovicë, kur nuk iu bind urdhrit të policisë për t'u ndalur. Prokuroria pretendon se polici Korab Pepaj qëlloi dy herë me armën zyrtare drejt automjetit, duke e goditur atë nga pjesa e pasme. Si pasojë e të shtënave, Jovanoviqi mbeti i plagosur në krahun e djathtë dhe përfundoi në spital.

Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja e Pepajt kundërshtoi akuzën, duke pretenduar se nuk ishte provuar që polici kishte pasur qëllim ta vriste Jovanoviqin. Avokatët ngritën dyshime edhe mbi ekspertizën balistike, distancën e të shtënave dhe rrethanat e sigurisë në veri të vendit në atë periudhë. Megjithatë, gjykata vendosi ta shpallë sërish fajtor dhe t'i shqiptojë dënimin prej tre vitesh burgim.

Pepaj ishte dënuar me të njëjtën masë edhe më 6 janar 2025, por Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rigjykim më 12 maj 2026. Ai ishte akuzuar gjithashtu për manipulim me prova, nën dyshimin se kishte fshehur dy gëzhoja, por ishte liruar nga kjo akuzë në gjykimin e parë. Ndërkohë, tre persona të tjerë të akuzuar për moslajmërim të veprës penale janë liruar nga akuzat.

Vendimi i sotëm nuk është ende i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit