Skandal me suxhukun e Buqukut në Pejë! Shitej si mish lope, analizat zbulojnë ADN pule, AUV bllokon 178 kg produkte

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.11.2026, 15:37

Një tjetër rast shqetësues për sigurinë dhe autenticitetin e produkteve ushqimore është zbuluar në Kosovë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar praninë e ADN-së së pulës në produktin “Suxhuk shtëpiak” të kompanisë BUQUKU SH.P.K. nga Peja, ndonëse në etiketën e produktit deklaroheshin vetëm mish dhe yndyrë lope. Kjo mospërputhje ngre pikëpyetje serioze mbi përbërjen reale të ushqimeve që u shiten qytetarëve.

Sipas AUV-së, mostrat janë analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari, ku është konfirmuar prania e ADN-së së gjedhit dhe pulës, ndërsa ADN-ja e derrit nuk është zbuluar. Ekzistojnë dyshime se në produkt mund të jetë përdorur mish pule i ndarë mekanikisht (MDM), një përbërës që nuk figuron në deklaracion. Megjithatë, analizat nuk kanë përcaktuar ende burimin apo sasinë e materialit me origjinë nga pula.

Pas rezultateve laboratorike, inspektorët e AUV-së kanë ndërhyrë te kompania, duke bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte, prej të cilave 120 kilogramë suxhuk “Kalorik” dhe 58 kilogramë suxhuk shtëpiak. Gjithashtu, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes.

AUV ka paralajmëruar zgjerimin e kontrolleve për të verifikuar përbërjen e produkteve të tjera, origjinën e mishit, kushtet e prodhimit dhe respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore. Agjencia sqaron se prania e ADN-së së pulës është konfirmuar vetëm në produktin e testuar dhe jo në të gjitha produktet e kompanisë.

Ky rast ngre shqetësime për transparencën ndaj konsumatorëve, të cilët kanë të drejtë të dinë saktësisht çfarë përmban ushqimi që blejnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit