Në kohë fjalësh të mëdha e përplasjesh teatrale në skenën politike, Tirana vazhdon të jetë sheshi i një avarie ku pasuritë publike shpërndahen me lehtësi burokratike për koalicionin zgjedhor lokal PD-PS.
Projekti më i fundit pranë Pallatit të Kongreseve ngre sërish siparin e dyshimeve mbi lidhjet e errëta mes pushtetit dhe oligarkisë, ku hija e familjarëve të politikës shfaqet sërish pas fasadave të betonit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), kompania “KLAR” ka themeluar shoqërinë “Klar Congress Development”. Ky subjekt është ngritur me synimin për të zbatuar një kontratë strategjike, rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve dhe ndërtimin e një objekti multifunksional.
Por pas këtij emri fshihet projekti skandaloz i ngritjes së një kulle 65-katëshe në një nga zonat më të lakmuara dhe më të shtrenjta të kryeqytetit.
Për ta bërë këtë ëndërr betonizimi të mundur, qeveria ka ndërhyrë drejtpërdrejt duke kaluar 4,760 m2 truall publik në dispozicion të këtij zhvillimi privat. Një tjetër copë e zemrës së Tiranës i falet interesave private, ndërkohë që qytetarëve u serviret një fasadë e ashtuquajtur "modernizuese" për të mbuluar shkatërrimin e hapësirës publike.
Në sipërfaqen e politikës ditore, Edi Rama dhe Sali Berisha shfaqen në një luftë të pafund, duke mbajtur opinionin publik të mbërthyer pas akuzave dhe kundërakuzave. Megjithatë, kur vjen puna te ndarja e pasurive të paluajtshme të shtetit dhe miliona eurove të kullave, kufijtë partiakë tretet si mjegull.
Projekti në fjalë lidhet ngushtësisht në qarqe investigative dhe publike me emrin e Shkëlzen Berishës dhe njerëzve të tij të besuar të biznesit. Edhe pse dokumentet formale dhe pronësia në letër mund të kujdesen të fshihen pas kompanive guaskë apo "fronterëve" të besuar, një metodë klasike kjo e pastrimit dhe fshehjes së pasurive të politikanëve, skemat e ortakërisë tregojnë se si krerët e vjetër dhe të rinj të politikës gjejnë gjuhën e përbashkët kur bëhet fjalë për zhvatjen e pasurisë kombëtare.
Përfitimi i Publikut është zero! Qytetarëve u merret një hapësirë publike prej afro 4,800 m2, rëndohet infrastruktura urbane e një zone tashmë të mbingarkuar dhe u jepet një premtim kozmetik për rivitalizimin e një godine ekzistuese.
Qindra milionë euro fitim nga tregtimi i metrave katrorë të kullës 65-katëshe, e cila ngrihet mbi truall shtetëror të dhuruar falas ose me kushte jashtëzakonisht favorizuese nga qeveria.
Ky rast dëshmon se si VKM-të dhe vendimet e fshehta qeveritare vazhdojnë të funksionojnë si noterë të interesave të ngushta klienteliste. Përballë këtij skandali urban dhe financiar, institucionet e drejtësisë, veçanërisht organet e kontrollit dhe SPAK, kanë detyrimin moral dhe ligjor të hetojnë pronësinë e vërtetë, procedurat e kalimit të truallit dhe konfliktin e hapur të interesit që sfidon çdo standard të shtetit të së drejtës.