Çmimet po ua zbrazin xhepat qytetarëve! Kosova e katërta në Evropë për inflacionin më të lartë, shkon në 7.1%!

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.11.2026, 10:41

Kosova po përballet me një situatë shqetësuese ekonomike, duke u renditur në vendin e katërt në Evropë për nivelin më të lartë të inflacionit.

Sipas të dhënave të platformës ndërkombëtare Trading Economics, inflacioni vjetor në vend ka arritur në 7.1% gjatë tetorit 2026. Përpara Kosovës renditen vetëm Turqia, Ukraina dhe Moldavia, ndërsa shumica e shteteve evropiane kanë norma më të ulëta të rritjes së çmimeve.

Shifrat tregojnë se qytetarët e Kosovës po përballen me shtrenjtim më të madh sesa fqinjët e tyre. Shqipëria ka regjistruar inflacion prej 3.4%, Maqedonia e Veriut 3.3%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina 6%. Ndërkohë, Turqia kryeson listën evropiane me 29.77%, e ndjekur nga Ukraina me 11% dhe Moldavia me 10.8%.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, goditja më e madhe ka ardhur nga sektori i transportit, ku çmimet janë rritur me 21.5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

Strehimi, uji, energjia elektrike dhe lëndët djegëse janë shtrenjtuar me 9.7%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3.2%. Këto rritje po rëndojnë drejtpërdrejt mbi buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.

Edhe pse inflacioni ka rënë nga 7.8% në shtator në 7.1% në tetor, kjo nuk do të thotë se çmimet janë ulur. Përkundrazi, niveli i përgjithshëm i çmimeve mbetet më i lartë se një vit më parë, ndërsa familjet vazhdojnë të përballen me koston e shtrenjtë të jetesës.

Kosova ndër vendet me inflacionin më të lartë në Evropë, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me faturat dhe çmimet e rritura. Deri kur do të vazhdojë kjo situatë dhe çfarë po bëhet për të mbrojtur xhepat e qytetarëve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit