Një ngjarje e rëndë që tronditi Brukselin po merr një tjetër kthesë pas zbulimeve të reja në hetimet për vrasjen e shqiptarit Redjan Z., i cili u ekzekutua më 12 tetor pranë Parlamentit Evropian. Sipas mediave belge, personat e dyshuar për vrasjen e tij mund të jenë të njëjtët që, vetëm disa orë më vonë, vranë edhe një polic belg.
Shqiptari u qëllua me 7 deri në 8 plumba në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles të Brukselit, ndërsa autorët u larguan menjëherë nga vendngjarja. Po atë mbrëmje, në komunën Jette, u vra edhe polici 41-vjeçar Nordine El Talbi, i cili ndodhej në krye të detyrës duke mbikëqyrur një automjet të vjedhur.
Sipas gazetës belge “De Standaard”, analizimi i kamerave të sigurisë ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë personat e dyshuar, të cilët raportohet se janë arrestuar në Spanjë dhe Francë. Megjithatë, Prokuroria e Brukselit nuk ka pranuar t'i konfirmojë apo mohojë këto informacione, duke argumentuar se publikimi i detajeve mund të dëmtojë hetimet.
Ndërkohë, familjarët e shqiptarit të ekzekutuar janë shprehur të revoltuar që zhvillimet e fundit i kanë mësuar nga mediat dhe jo nga autoritetet. Avokatja e familjes, Ofelia Avagian, ka deklaruar se mungesa e komunikimit zyrtar ka shtuar dhimbjen dhe pasigurinë e tyre.
Pista kryesore e hetimit për ekzekutimin e Redjan Z. mbetet ajo e një larjeje hesapesh të dyshuar në botën e trafikut të drogës. Sipas raportimeve, shqiptari udhëtonte shpesh mes Belgjikës dhe Shqipërisë përpara se të vritej. Autoritetet belge vijojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe për të përcaktuar nëse dy vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.