Nikoll Radaçi përfitoi nga amnistia, mamaja e 9-vjeçarit të aksidentuar për vdekje: Nuk do pushoj së kërkuari drejtësi për ty

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.11.2026, 15:18

Një thirrje për drejtësi, e shkruar mes dhimbjessë një nëne që humbi fëmijën e saj, ka mbërritur në redaksinë tonë.

Bëhet fjalë për nënën e Klesi Nikollit, një prej dy vogëlushëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të 3 majit në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Gjashtë muaj pas ngjarjes që tronditi opinionin publik, familjarët kërkojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë dhe që asnjë rrethanë e aksidentit të mos mbetet pa u hetuar.Përmes një letre të gjatë dhe prekëse, nënae Klesit rrëfen momentet e fundit të të birit,kujtimet që ruan për të dhe zhgënjimin e saj për mënyrën se si po trajtohet çështja në gjykatë.

Kjo pasi dy dirë më parë në Gjykatën e Durrësit ka nisur procesi gjyqësor ndaj 57-vjeçarit Nikoll Radaçi, i cili drejtonte automjetin në momentin e aksidentit.

Një nga shqetësimet kryesore të familjarëve lidhet me faktin se, pas përfitimit ngaamnistia penale, ndaj të pandehurit janë shuar akuzat për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur dhe largimin nga vendi i aksidentit, akuza që ishin pjesë e hetimeve.

Në letrën e saj, nëna e Klesit ngre pikëpyetjepër mënyrën se si janë trajtuar denoncimet dhe shqetësimet e mëparshme të banorëvepër sjelljen e drejtuesit të automjetit, si dhe kërkon verifikimin e plotë të të gjitha rrethanave të ngjarjes.

Ajo kujton se Klesi, në momentin e aksidentit,po hante një akullore dhe mezi priste të dilte të luante futboll me shokët.

Një ditë e zakonshme për një fëmijë, që u kthye në tragjedinë më të madhe për familjen e tij.

Letra e plotë

# Letër për djalin tim, Klesin… dhe për drejtësinë që ende po e pres

Unë që po shkruaj këto rreshta jam nëna e Klesi Nikollit. Djalit tim që më 3 maj humbi jetën në trotuar, në një ditë që duhej të ishte si gjithë të tjerat. Ai po shijonte akulloren që kishte në dorë dhe ëndërronte që, pasi ta përfundonte, të dilte të luante futboll me shokët e lagjes. Ishin ëndrra të vogla, të bukura, ëndrra fëmijësh. Por fati deshi ndryshe dhe një çast i vetëm ia ndërpreu përgjithmonë të gjitha ëndrrat, atij dhe shokut të tij.

Atë ditë, djali im dhe shoku i tij u përplasën nga makina e drejtuar nga Nikolla Radaçi, i njohur si “Bisha”. Sipas asaj që kemi mësuar, ai kishte konsumuar shumë alkool. Na i shtypi fëmijët me makinën e tij dhe na i la të shtrirë nën gomat e mjetit, në mes të rrugës, sikur të ishin sende dhe jo dy jetë të pafajshme. Dy fëmijë që pak çaste më parë mbanin akulloren në duar dhe ëndërronin të luanin me top. Ai zbriti nga makina dhe u largua, pa u kujdesur për gjendjen e tyre, pa u siguruar nëse jetonin apo kishin nevojë për ndihmë. Ndërsa ne humbëm përgjithmonë gjithçka, ai u largua nga vendi i ngjarjes.

Por kjo tragjedi nuk erdhi pa paralajmërime. Si prindër dhe si banorë të lagjes, kishim ngritur shqetësimin për sjelljen e tij dhe për rrezikun që mund të përbënte. I kishim thënë të kishte kujdes, sepse lagjja jonë është e mbipopulluar me fëmijë. I kishim kërkuar të mos ecte me shpejtësi dhe të mos rrezikonte jetën e tyre. Kishim frikë se një ditë do të ndodhte diçka e rëndë. Dhe ajo ditë erdhi. Vetëm se këtë herë, çmimin më të tmerrshëm e paguam ne: humbëm fëmijët tanë.

Mua më morën dritën e syve. Më morën arsyen për t’u zgjuar çdo mëngjes. Më lanë me një dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë dhe me një shtëpi ku mungesa e Klesit dëgjohet në çdo cep.

Për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortit tim, unë nuk ndodhesha në shtëpi. Në këtë vend, ku shëndetësia shpesh të detyron të sorollatesh nga një derë në tjetrën, po përpiqeshim të gjenim shërim dhe shpresë. Shpresa jonë më e madhe ishte që një ditë të bashkoheshim sërish të gjithë si familje. Por në vend të asaj dite që prisnim me aq padurim, morëm lajmin më të hidhur të jetës sonë.

Më 17 nëntor 2026, Klesi im do të mbushte 10 vjeç. Një ditë pas gjyqit, ne duhej të festonim ditëlindjen e tij, por do ta kujtojmë me lot dhe me një vend bosh në shtëpi. Ai duhej të frynte qirinjtë, të merrte përqafimet e mamit dhe babit dhe të vazhdonte të rritej si çdo fëmijë tjetër. Klesi duhej të mbushte 10 vjeç, jo të bëhej pjesë e një dosjeje gjyqësore.

Klesi na priste me padurim. Pritej të ktheheshim mami dhe babi. Edhe pse ishte i vogël, ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe mundohej të ndihmonte familjen me aq sa mundej. Bënte nga një kafe, shiste ndonjë akullore, gjente mënyra për të qenë i dobishëm. Kishte një zemër të madhe për moshën e tij. Dhe ajo që më copëton shpirtin është se edhe njeriut që i mori jetën, Klesi i kishte shërbyer një kafe. Djali im nuk dinte urrejtje. Ai dinte vetëm të ishte fëmijë, të buzëqeshte, të ndihmonte dhe të ëndërronte.

Për një kohë të gjatë nuk kam folur. Nuk kam reaguar. Jo sepse nuk kisha çfarë të thosha, por sepse dhimbja na kishte paralizuar. Jemi ende të shkatërruar emocionalisht. Por sot, kur shoh se si po trajtohet kjo çështje, ndiej se heshtja jonë nuk duhet të vazhdojë. Sepse po krijohet përshtypja se jeta e një fëmije nuk paska rëndësi në vendin tonë.

Prandaj po e shkruaj këtë letër. Për Klesin tim. Për shokun e tij. Për të gjitha nënat që kanë humbur fëmijët dhe që çdo natë flenë me një dhimbje që nuk mbaron kurrë.

Kam një pyetje që nuk më lë të qetë: a është hetuar nëse ndaj këtij personi ka pasur më parë denoncime apo ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë në zona të banuara? A janë verifikuar shqetësimet dhe paralajmërimet e banorëve të lagjes sonë? A është kontrolluar nëse atij i ishte hequr patenta disa herë dhe për çfarë arsyesh? Nëse këto sinjalizime kanë ekzistuar, pse nuk u morën masa përpara se të ndodhte kjo tragjedi? Pse duhet të priste shteti derisa dy fëmijë të humbnin jetën që të kuptohej rreziku?

Dhe një tjetër pyetje: a janë hetuar deri në fund të gjitha rrethanat e aksidentit, përfshirë pretendimet për drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit dhe largimin nga vendngjarja pa u dhënë ndihmë fëmijëve? Kërkoj që asnjë detaj të mos anashkalohet dhe asnjë përgjegjësi të mos mbetet pa u shqyrtuar.

Nuk mund ta pranoj që kjo tragjedi të reduktohet vetëm në një numër vitesh burgimi, pa u vlerësuar çdo rrethanë e rëndë e ngjarjes. Nuk kërkojmë favore. Nuk kërkojmë hakmarrje. Kërkojmë drejtësi, hetim të plotë dhe dënimin maksimal që parashikon ligji për veprat e provuara.

Dhe më e dhimbshmja është se, përveç jetës që na mori, nuk pati as një kërkimfalje. Asnjë fjalë që të tregonte pendesë. Asnjë përpjekje për të ardhur e për të thënë: “Më falni”. Si mund të vazhdojë jeta për dikë që ka lënë pas një tragjedi të tillë, ndërsa ne duhet të mësojmë të jetojmë pa fëmijët tanë? Si mund të gjejë qetësi një nënë që e di se djali i saj nuk do të kthehet më kurrë?

Unë nuk do të ndalem sa të kem frymë. Nuk do të hesht për Klesin. Nuk do të lejoj që emri i tij të humbasë mes dosjeve dhe afateve. Ai nuk ishte një numër në një proces gjyqësor. Ishte djali im. Ishte një fëmijë që mbante një akullore në dorë dhe priste të luante me shokët. Ishte një jetë që sapo kishte nisur.

Thirrja ime është për çdo institucion të drejtësisë në Shqipëri: dëgjojeni zërin tonë, shqyrtoni çdo provë, çdo rrethanë, çdo denoncim të mundshëm të mëparshëm dhe çdo përgjegjësi. Kërkojmë dënimin maksimal që parashikon ligji për veprat e provuara. Kërkojmë që drejtësia të mos anashkalojë asnjë fakt dhe që askush të mos harrojë se pas kësaj dosjeje janë dy fëmijë që nuk do të kthehen më në shtëpi.

Sepse ne nuk mund ta kthejmë Klesin. Nuk mund t’ia japim më akulloren që e priste, nuk mund ta shohim duke luajtur me top, nuk mund ta përqafojmë kur të kthehemi në shtëpi. Nuk mund t’i kërkojmë të na tregojë si i shkoi dita, nuk mund të dëgjojmë më zërin e tij.

Por mund të kërkojmë që vdekja e tij të mos mbetet pa drejtësi.

*Klesi im, mami nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi për ty. Derisa të kem frymë, emri yt do të dëgjohet. Nuk do të lejoj që bota të harrojë se ti ishe një engjëll që meritonte të jetonte.*

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit