Qytetarët e Kosovës rrezikojnë të përballen me një tjetër dimër të rëndë, ku pasiguria për furnizimin me energji elektrike shoqërohet me frikën e faturave të larta. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një situatë të vështirë energjetike, duke ngritur pikëpyetje serioze se sa e përgatitur është Qeveria për t'i mbrojtur xhepat e qytetarëve.
Rizvanolli ka deklaruar se çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare ka arritur deri në 500 euro për megavat-orë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me probleme në prodhimin vendor. Blloku B1 i Termocentralit Kosova B është jashtë funksionit që nga prilli, ndërsa vonesat në punime shtojnë pasigurinë për furnizimin gjatë muajve të ftohtë.
Por kush do ta paguajë faturën e kësaj krize? Nëse furnizimi përkeqësohet dhe kostot e energjisë ndikojnë në tarifa, qytetarët mund të gjenden përballë një situate të rëndë: të kenë ndërprerje të rrymës dhe njëkohësisht të përballen me shpenzime më të larta.
Një skenar i tillë do të rëndonte veçanërisht mbi familjet që tashmë mezi përballojnë shpenzimet mujore.
Përderisa ministrja paralajmëron vështirësi, nga Qeveria kërkohen përgjigje konkrete.
Çfarë garancish kanë qytetarët se nuk do të përballen me shtrenjtim të faturave? Kush do t'i mbrojë familjet me të ardhura të ulëta nëse kostot e importit vazhdojnë të rriten? Dhe kur do të përfundojnë vonesat në kapacitetet vendore të prodhimit?
Ministrja ka njoftuar rritjen e kapaciteteve të shkëmbimit të energjisë me vendet fqinje, por mbetet të shihet nëse kjo masë do të mjaftojë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe për të shmangur presionin mbi faturat e konsumatorëve.
Qytetarët kanë nevojë për rrymë të qëndrueshme dhe fatura të përballueshme, jo vetëm për paralajmërime të një dimri të vështirë.
A do të arrijë Qeveria t'i mbrojë familjet kosovare, apo edhe këtë dimër barra e krizës do të bjerë mbi xhepat e tyre?