Një qytetar nga fshati Domje në periferi të Tiranës, ka dërguar në redaksinë tonë një video të filmuar ditën e sotme, përmes së cilës denoncon gjendjen e rënduar të një rruge në zonë.
Sipas banorit, rruga, e cila është rreth 60 metra e gjatë, është rikonstruktuar disa vite më parë nga Komuna Kashar. Por, pas ndërhyrjes së Ujësjellësit për vendosjen e tubacioneve të ujit, rruga është lënë e dëmtuar dhe nuk është rikthyer më në gjendjen e mëparshme.
Banori thotë se prej të paktën 6 vitesh, rreth 200 familje përballen çdo ditë me këtë problem. Gjendja e rrugës, sipas tij, po shkakton dëme të vazhdueshme në automjetet e banorëve dhe vështirësi në lëvizjen e tyre.
Pavarësisht ankesave të shumta ndër vite, banorët thonë se ende nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Përmes kësaj videoje, ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse dhe rikonstruksionin e rrugës, duke shpresuar që shqetësimi i tyre të marrë më në fund vëmendjen e duhur.
Banorët kërkojnë zgjidhje: 200 familje nuk mund të vazhdojnë të përballen çdo ditë me këtë problem!