Me një nga ritet më domethënëse të traditës së Dukagjinit, 34-vjeçari Angjelin Nika u përcoll ditën e djeshme për në banesën e fundit. Në një atmosferë të rëndë zie, familjarë, të afërm dhe bashkëvendës i dhanë lamtumirën e fundit të riut, përmes “gjamës së burrave”, një traditë e lashtë që shpreh dhimbjen, respektin dhe nderimin për të ndjerin.
Angjelin Nika humbi jetën tragjikisht në Bardhaj të Shkodrës, teksa ishte duke punuar mbi një shtyllë elektrike për rikthimin e energjisë në banesat e zonës.
Një aksident fatal i mori jetën 34-vjeçarit në krye të detyrës, në momentin kur po përpiqej t'u rikthente dritën banorëve që kishin mbetur pa energji elektrike.
Ndarja e tij e parakohshme ka lënë pas dhimbje të madhe në familje dhe në komunitetin e Dukagjinit. Dje, përmes një prej zakoneve më të vjetra të kësaj treve, bashkëvendësit e tij i dhanë lamtumirën me nderimet tradicionale.