Një përplasje e fortë verbale raportohet të ketë ndodhur gjatë javës së kaluar brenda ambienteve të Kryeministrisë mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas pretendimeve të bëra publike në media, shkak për këtë përplasje me tone të ashpra është bërë një kërkesë e drejtpërdrejtë e kryeministrit Rama ndaj Ballukut.
Kërkesa e Ramës: Pretendohet se kryeministri i ka kërkuar Ballukut të përdorte ndikimin e saj te rreth 20 deputetë socialistë për t'i bindur ata të dorëzonin mandatet parlamentare.
Qarqet në fokus: Kjo lëvizje prek kryesisht deputetët me problematika ligjore apo me problem imazhi në qarqet Fier, Elbasan dhe Durrës.
Qëllimi: Rama synonte të përcillte një mesazh publik "vetëpastrimi" brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Sipas mediave, ish-zv.kryeministrja e ka kundërshtuar kategorikisht planin e Ramës, duke pretenduar se varet nga mbështetja reale që gëzon brenda grupit parlamentar socialist.
Gjatë debatit të ashpër, Balluku mësohet se i është drejtuar kryeministrit me tone sfiduese, duke i bërë të qartë se nuk pranon të diktohet prej tij dhe se nuk ka ndërmend të largohet e vetme nga skena politike.
Përplasja e raportuar nga mediat, nxjerr në pah krisjet e para të forta brenda mazhorancës, në një kohë kur balancat politike dhe menaxhimi i grupit parlamentar mbeten nën tension.