Nga qelia e paraburgimit të Fierit, aty ku koha nuk matet më me tendera, me shiritat e inaugurimeve e as me pemët e mbjellura, Erion Veliaj duket se ka harruar adresën e vërtetë të llogaridhënies dhe vazhdon të shfaqet si një viktimë kronike që nuk heq dorë nga asnjë kërkesë prej kryetari të përjetshëm.
Ndërsa mban ende peng bashkinë nga distanca, ai kërkon me çdo kusht të drejta ekskluzive për të drejtuar projekte, për të marrë pjesë në mbledhje, për t’u lidhur direkt me Asamblenë e Partisë Socialiste dhe, për kapak të hidhur, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar vetëm pse e transferuan nga Durrësi në Fier.
Me pak fjalë, Lali Pema kërkon që çdo hall, çdo tekë dhe çdo lëvizje e tij të kthehet në prioritet kombëtar, ndërsa sallat e Parlamentit të buçasin për rehatinë e qelisë së tij.
Por, meqë ky zotëri papritmas qenka kujtuar se qenka qenie njerëzore dhe se qenka prekur në të drejtat e tij, le t’ia rifreskojmë pak kujtesën me atë realitet të egër cinizmi që la pas nëpër rrugët e Tiranës, ku pushteti i tij nuk fuste njerëz në komisione parlamentare, por në gropën e mjerimit.
Nuk ka si të harrohet ajo Tiranë e fshehur pas fasadave me ngjyra, ku gra të moshuara dridheshin nën acar duke shitur pesë kokrra domate për bukën e gojës, ndërsa pleq të kërrusur shtynin karrocat e tyre të drurit për të mbijetuar, derisa ato u kthyen në trofe për kamerat propagandistike të Rilindjes.
Në vend të një dore ndihme apo një strehe dinjitoze, këta njerëz përballeshin me uniformat e Bashkisë, të cilat u flaknin përtokë arkat me mallra dhe u lidhnin duart me dhunë shtazore, vetëm sepse guxonin të fitonin jetesën me djersën e ballit.
Kjo ishte fytyra e vërtetë e atij pushteti që sot derdh lot krokodili për veten e tij, ndërsa dikur u grabiste të moshuarve edhe atë mundësi mikroskopike të mbetur për të mos vdekur urie.