Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar një rënie prej vetëm 4 centësh për litër, duke zbritur nga 1.83 euro në 1.79 euro. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ky ndryshim vjen pas rënies së çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare.
Sipas ministrisë, inspektorët kanë intensifikuar kontrollet në pikat e shitjes së karburanteve në gjithë vendin, ku është konstatuar një ulje e çmimeve. Ndërkohë, çmimi mesatar i benzinës ka arritur në 1.43 euro për litër. MINTI thekson se këto ndryshime përputhen me të dhënat zyrtare të importit të siguruara nga Dogana e Kosovës.
Pavarësisht rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, lirimi i naftës në Kosovë mbetet modest. Ministria ka paralajmëruar se inspektimet dhe monitorimi i tregut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që ulja e kostove të furnizimit të reflektohet drejt dhe në kohë edhe te qytetarët.
A mendoni se ulja prej vetëm 4 centësh është e mjaftueshme, apo çmimi i naftës në Kosovë duhet të bjerë edhe më shumë?