Larje hesapesh për pazare droge? E shkuara e errët e vlonjatit që u ekzekutua dje në Spanjë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 11.11.2026, 11:05

Detaje të reja po dalin në dritë nga ekzekutimi i 39-vjeçarit shqiptar Luka Beqiraj në Orihuela Costa të provincës së Alicante-s në Spanjë. Shqiptari me origjinë nga Vlora, i cili u qëllua për vdekje në një sulm të kryer në distancë të afërt, rezulton të ketë pasur një të kaluar të trazuar me drejtësinë në Shqipëri dhe Itali, përfshirë një dënim për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Sipas mediave spanjolle, autori i është afruar Beqirajt dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Menjëherë pas ekzekutimit, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një skuter elektrik.

Mënyra e organizimit dhe ekzekutimit të atentatit ka ngritur dyshimet e hetuesve se mund të bëhet fjalë për një vrasje me pagesë. Një prej pistave që po shqyrtohet është edhe lidhja e mundshme me organizatat kriminale që veprojnë në zonën e Costa Blanca-s, një territor ku raportohen aktivitete të rrjeteve ndërkombëtare.

Por emri i Luka Beqirajt nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Problemet e tij me ligjin datojnë që në vitin 2016, kur u arrestua në Vlorë, në moshën 28-vjeçare, për plagosje të rëndë me dashje.

Tre vite më vonë, në vitin 2019, ai u përfshi në një tjetër dosje të rëndë penale, këtë herë me shtrirje ndërkombëtare. Beqiraj u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Operacioni kishte në shënjestër një rrjet të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të drogës, armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Italisë.

Në Vlorë, gjatë ndërhyrjes së policisë, u ndaluan gjashtë persona, mes tyre edhe Luka Beqiraj, si dhe Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj.

Paralelisht, në Itali u zhvillua operacioni i koduar “Lulet e Pranverës”, i cili përfundoi me arrestimin e 27 personave, 21 prej tyre shtetas shqiptarë.

Hetimet italiane zbuluan një aktivitet të gjerë kriminal, ku rrjeti dyshohej se kishte trafikuar rreth 10 tonë lëndë narkotike gjatë viteve të veprimtarisë së tij. Droga, kryesisht marijuanë, transportohej nga Shqipëria drejt Italisë, magazinohej fillimisht në zonën e Salentos dhe më pas shpërndahej në rajone të ndryshme të vendit.

Përveç trafikut të drogës, organizata dyshohej edhe për trafikimin e armëve dhe municioneve, duke shfrytëzuar të njëjtat kanale të paligjshme transporti.

Në vitin 2020, Luka Beqiraj u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh për përfshirjen e tij në veprimtarinë e trafikut të drogës.

Tashmë, vrasja e tij në Spanjë ka rikthyer në vëmendje të kaluarën e tij kriminale, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse ekzekutimi lidhet me konflikte të mëparshme apo me aktivitetin e rrjeteve kriminale ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit