Një debat banal për një vend parkimi ka degjeneruar në kërcënime me thikë në mes të një zone të populluar në Vlorë, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin pranë.
Ngjarja është regjistruar në afërsi të një shkolle, në një moment kur zona ishte e frekuentuar nga dhjetëra persona, kryesisht qytetarë që po bënin pazaret.
Konflikti dyshohet se nisi për një vend parkimi, por debati mes personave të përfshirë doli shpejt jashtë kontrollit. Situata u tensionua edhe më tej kur njëri prej tyre nxori një thikë dhe kërcënoi palën tjetër.
Disa qytetarë që ndodheshin aty pranë ndërhynë për të ndarë personat dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit në një përplasje fizike.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje mbërriti edhe policia, e cila ndërhyri për të qetësuar situatën dhe për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes.