Një 47-vjeçar në qytetin e Xi’an, në Kinë, ka vendosur të mos i drejtohet më ankesave dhe kërkesave zyrtare pasi autoritetet i prishën fermën dhe, sipas raportimeve, i ofruan një dëmshpërblim që ai e konsideroi qesharak.
I revoltuar nga ajo që e cilësoi si padrejtësi, burri mori një fadromë dhe u drejtua për te Qendra e Shërbimeve Qeveritare. Por nuk shkoi për të plotësuar ndonjë formular apo për të pritur radhën në sportel. Ai e ngjiti mjetin e rëndë deri te hyrja e godinës dhe e shkatërroi atë, duke shkaktuar panik dhe habi mes personave që ndodheshin aty.
Ngjarja ndodhi të hënën në Xi’an dhe pamjet e aksionit kanë tërhequr vëmendjen për mënyrën ekstreme se si 47-vjeçari vendosi të shprehte zemërimin ndaj autoriteteve.
Në një vend ku institucionet zakonisht nuk mungojnë në procedura, por qytetarët mund të presin gjatë për një zgjidhje, ky rast mori një drejtim krejt tjetër. Burri duket se vendosi t'ua çonte ankesën drejtpërdrejt te dera, vetëm se këtë herë dera nuk i mbijetoi vizitës.
E nëse në Kinë një ngjarje e tillë bën xhiron e botës si diçka e pazakontë, në Shqipëri do të rrezikonim ta kishim një problem tjetër: fadromat do të duhej të ishin pjesë e inventarit të çdo qytetari që ka trokitur më kot në dyert e institucioneve. Me aq ankesa për padrejtësi, zvarritje dhe premtime të pambajtura, ndoshta do të na duhej të ndërtonim institucione të reja para se të mbaronim së prishuri të vjetrat.