Disa turistë duket se nuk mjaftohen vetëm me kujtimet nga Shqipëria, por duan të marrin me vete edhe diçka nga supermarketet tona. Një shtetas italian është filmuar nga kamerat e sigurisë së një supermarketi në Durrës, duke marrë disa produkte për fëmijë dhe duke i futur në xhep, përpara se të drejtohej drejt arkës.
Pamjet tregojnë qartë momentin kur ai merr produktet nga rafti, i fsheh në xhep dhe më pas vijon drejt kasës pa i vendosur në shportë apo për t'i paguar.
Sipas qytetarit që ka bërë denoncimin në redaksinë tonë, bëhet fjalë për një shtetas italian, i cili është identifikuar si i tillë pasi ka komunikuar në gjuhën italiane me punonjësit e marketit. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në një supermarket në Lagjen 14, pranë Urës së Dajlanit.
Vlera e produkteve të marra është rreth 500 lekë, por qytetari thotë se shqetësimi nuk lidhet me shumën, por me faktin që veprime të tilla mund të përsëriten.
Me sa duket, ky vizitor ka vendosur të bëjë pazar në një mënyrë krejt të veçantë: duke mos kaluar fare nga kuleta.