Një rast shqetësues është raportuar sot, më 10 nëntor, në Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku një pacient me kancer është detyruar të shpenzojë plot 682 euro nga xhepi për të siguruar barnat e nevojshme për trajtim, pasi ato kanë munguar në spitalin publik.
Sipas gazetares Saranda Ramaj, nga katër barnat e përshkruara nga mjeku, dy prej tyre, Bevacizumab (Avastin) 600 mg dhe Paclitaxel 300 mg, nuk kanë qenë në dispozicion në Klinikën e Onkologjisë. Për këtë arsye, pacientit i është dashur t'i sigurojë vetë, pavarësisht kostos së lartë.
Për Bevacizumab-in, pacienti ka deklaruar se ka paguar 550 euro në tregun e zi, pa faturë, duke siguruar vetëm 500 mg nga 600 mg të përshkruara. Ndërkohë, për tri ampula Paclitaxel ka paguar edhe 132 euro, shumë e dëshmuar përmes faturës së blerjes. Pavarësisht shpenzimit total prej 682 eurosh, pacienti nuk ka arritur ta sigurojë dozën e plotë të terapisë.
Rasti ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e barnave në institucionet publike shëndetësore, veçanërisht për pacientët që përballen me sëmundje të rënda si kanceri. Mbetet të sqarohet se përse këto barna kanë munguar dhe kush mban përgjegjësi për furnizimin e tyre.
Derisa pacientët me kancer luftojnë për jetën, ata përballen edhe me barrën financiare të sigurimit të barnave. A është e pranueshme që një pacient të detyrohet të paguajë qindra euro për një terapi që nuk arrin ta marrë të plotë në spitalin publik?