Qytetarët e Kosovës po përballen me një tjetër goditje të rëndë ekonomike, teksa çmimet e produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë vazhdojnë të rriten.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Pëllumb Çollaku, shporta e konsumit që në shtator të vitit 2025 kushtonte 1,000 euro, sot ka arritur në rreth 1,078 euro.
Kjo do të thotë se një familje që konsumon të njëjtat produkte dhe shërbime duhet të nxjerrë nga xhepi 78 euro më shumë çdo muaj, apo afro 940 euro në vit. Ndërkohë, fuqia blerëse e qytetarëve ka pësuar rënie, pasi 100 euro të kursyera sot kanë fuqinë blerëse të rreth 92.8 eurove të një viti më parë.
Më të goditurat nga kjo valë shtrenjtimi janë familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët, qytetarët që jetojnë me ndihma sociale dhe punëtorët të cilëve nuk u janë rritur pagat. Pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për ushqim, energji elektrike, ngrohje dhe transport, duke ua vështirësuar përballimin e shpenzimeve të përditshme.
Eksperti paralajmëron edhe për fenomenin e njohur si “shrinkflation”, ku kompanitë zvogëlojnë sasinë ose peshën e produkteve, por ua mbajnë çmimet të pandryshuara. Në këtë mënyrë, konsumatorët paguajnë njësoj, por marrin më pak produkt, një problem që sipas Çollakut nuk po merr vëmendjen e duhur nga politikëbërësit.
Situata ekonomike pritet të mbetet shqetësuese edhe gjatë vitit 2026. Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, inflacioni në Kosovë pritet të arrijë në 6.8%, nga 3.9% që ishte vlerësimi për vitin 2025. Ky parashikim e vendos Kosovën me nivelin më të lartë të inflacionit në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar shqetësimet për fuqinë blerëse dhe mirëqenien e qytetarëve.