Policia e Tiranës ka finalizuar dy operacione për zbardhjen e grabitjeve të bankave dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, bëri me dije se në kuadër të operacionit “Gjuetari i Bankave” është identifikuar dhe ndaluar një 50-vjeçar, me inicialet R. D., alias A. D., i dyshuar si autor i dy grabitjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit në dy filiale bankare në kryeqytet.
Ngjarjet kanë ndodhur më 2 qershor dhe 2 nëntor 2026. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve dhe dy telefona celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Fly”, policia zbuloi një rast të dyshuar trafiku droge në linjën ajrore Athinë–Rinas. Gjatë kontrollit të bagazheve, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si Cannabis sativa.
Poseduesi i dyshuar i valixhes, një 51-vjeçar grek me inicialet M. P., ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes. Ai u lokalizua dhe u arrestua në rrugën e Durrësit, ndërsa lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua.
Gjithashtu, policia njoftoi se ka kapur dhe ndaluar edhe tre të rinj, të moshave 20, 28 dhe 29 vjeç, ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”.