Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Kosova, këtë herë nga lokali luksoz “Ysabel”, në Marigona Tower të Prishtinës, ku një qytetar pretendon se është detyruar të paguajë edhe për përdorimin e ashensorit. Rasti ka vënë në vëmendje edhe lidhjet e biznesit me ortakët e nënkryetarit të PDK-së, Uran Ismaili.
Pi 8 birra, paguan 40 euro, por kur vjen fatura e pret edhe një surprizë: 2 euro shtesë për “NGRITJE”! Kjo është ajo që shihet në faturën fiskale të datës 8 nëntor 2026, të dërguar nga qytetari, ku shuma përfundimtare arrin në 42 euro.
Por çfarë lidhjeje ka ky lokal me Uran Ismailin?
Sipas të dhënave të regjistrimit të bizneseve, në mesin e pronarëve të “Maison Ysabel” figurojnë Genc Gashi dhe Labinot Krasniqi, të cilët kanë qenë gjithashtu ortakë me Uran Ismailin në lokalin e njohur “Bon Vivant”. Vetë Ismaili nuk figuron si aksionar i drejtpërdrejtë i “Ysabel”.
Emri i “Bon Vivant” mbetet i lidhur me dy ngjarje të rënda kriminale që kanë tronditur Prishtinën. Në tetor të vitit 2014, në këtë lokal u vra punonjësi i sigurimit Rrahman Uka, ndërsa më 4 gusht 2023, një tjetër përleshje me armë përfundoi me një person të vrarë dhe disa të plagosur e të lënduar. Këto ngjarje kanë qenë objekt i hetimeve dhe proceseve gjyqësore.
Ndër vite janë ngritur edhe pyetje mbi mënyrën e pranimit dhe rezervimit të klientëve në “Bon Vivant”. Pretendimet se pranoheshin vetëm personat “VIP”, ndërsa të tjerët përçmoheshin si “katunarë”, nuk janë të verifikuara. Madje, në dëshmitë gjyqësore, drejtuesit e lokalit kanë mohuar që klientët të kategorizoheshin sipas statusit.
Ndërkohë, denoncimi i fundit në “Ysabel” ngre një pyetje shumë konkrete: A është normale që një klient që paguan 40 euro për konsum në lokal, të përballet edhe me 2 euro të tjera për ngritjen me ashensor?
Qytetari thotë se problemi nuk është shuma, por mungesa e informacionit paraprak. Ai kërkon të dijë ku është e afishuar kjo tarifë, kush e ka vendosur dhe përse klientët duhet ta mësojnë nga fatura.
Për këtë rast mbeten të nevojshme sqarimet e drejtuesve të “Ysabel”, përfshirë nëse pagesa “NGRITJE” është tarifë për ashensorin dhe nëse klientët njoftohen përpara përdorimit të tij.
Nga njëra anë konsumi luksoz, nga ana tjetër 2 euro për t'u ngjitur me lift! A duhet klienti të paguajë veçmas edhe për të arritur deri te tavolina e lokalit?
Po ju, a do të paguanit 2 euro për ashensorin pasi keni shpenzuar 40 euro në një lokal?
