Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr vëmendjen me disa deklarata të bëra gjatë një interviste për emisionin prestigjioz “60 Minutes” të CBS News, ku foli për vdekjen, besimin fetar dhe mundësinë që të shkojë në parajsë.
Gjatë bisedës me gazetarin Ross Douthat, Trump u pyet se çfarë mendon se ndodh me të pas vdekjes dhe ku beson se do të përfundojë.
“Unë jam një njeri fetar, kështu që teorikisht shkoj në parajsë”, u përgjigj presidenti amerikan. I pyetur nëse mendon se do të përfundojë vërtet atje, ai shtoi: “Shpresoj kështu. Nuk dua të shkoj në ferr”.
Por biseda mori një kthesë edhe më interesante kur gazetari e pyeti nëse do të ishte në gjendje të falte kundërshtarët e tij politikë, mes tyre James Comey dhe Nancy Pelosi, nëse falja e tyre do të ishte kusht për të hyrë në parajsë.
Trump nuk ngurroi të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai tha se nuk mund të pretendonte se do t'i falte, pasi kjo nuk do të ishte e sinqertë.
“Përgjigjja është jo. Dua të jem i sinqertë, jo”, u shpreh ai.
I pyetur sërish nëse mund ta kapërcente urrejtjen ndaj kundërshtarëve të tij, Trump deklaroi: “Ndoshta nuk mundem, jo, sepse i urrej disa prej armiqve të mi dhe do t'i urrej gjithmonë”.
Pjesa e intervistës është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke tërhequr reagime të shumta për përgjigjet e pazakonta të presidentit amerikan mbi besimin dhe faljen.
Intervista e plotë u transmetua të dielën, më 8 nëntor, në “60 Minutes” dhe përfshiu gjithashtu tema si humbja e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, lufta me Iranin, inteligjenca artificiale dhe UFO-t.