Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë në Kosovë, ku djali i ish-deputetes Donika Kadaj-Bujupi dyshohet se është kërcënuar me armë zjarri nga një zyrtar i këtij institucioni.
Sipas raportimeve, i dyshuar për këtë incident është zyrtari Sami Shaqiri, ndërsa gjithçka dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një komision disiplinor.
Djali i ish-deputetes ka deklaruar se është kërcënuar me revole gjatë orarit të punës. Sipas pretendimeve, zyrtari e ka ndjekur deri në tualetin e Ministrisë, ku dyshohet se ia ka vendosur armën në pjesën e pasme të kokës dhe e ka kërcënuar.
Pas incidentit, është raportuar për arrestimin e të dyshuarit. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin e kanosjes me armë në Ministrinë e Ekonomisë dhe ka bërë të ditur se një person është shoqëruar në stacion policor.
Rasti ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e punonjësve brenda institucioneve shtetërore, ndërsa pritet që organet kompetente të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes.