Mbajtja e të burgosurve në Kosovë po i kushton buxhetit të shtetit dhjetëra mijëra euro çdo ditë. Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), aktualisht në institucionet korrektuese ndodhen 1,778 persona të privuar nga liria, për të cilët shteti shpenzon mesatarisht nga 33 euro në ditë për person.
Në total, 58,674 euro shpenzohen çdo ditë, apo rreth 1.76 milionë euro në muaj. Këto mjete mbulohen nga buxheti publik dhe përfshijnë ushqimin, akomodimin, higjienën personale dhe shërbimet e tjera të nevojshme për të burgosurit.
Kosova ka gjithsej 11 institucione korrektuese, ku angazhohen rreth 1,600 zyrtarë korrektues. Sipas të dhënave për vitin 2025, numri i personave të privuar nga liria lëvizte mes 1,700 dhe 1,800, prej të cilëve rreth 1,100 ishin të dënuar, ndërsa 600 deri në 700 ndodheshin në paraburgim.
Ndërkohë, në kuadër të marrëveshjes me Danimarkën, pritet që gjatë gjysmës së parë të vitit 2027 të nisë transferimi i të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit, i cili do të përshtatet sipas standardeve daneze. Marrëveshja parashikon transferimin e deri në 300 të burgosurve.
Po ju, si e komentoni faktin që shteti shpenzon mbi 58 mijë euro çdo ditë për personat e privuar nga liria në Kosovë?