Reagon Visi i fekaleve: Ujin e çezmës e pijnë edhe fëmijët e mi!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 09.11.2026, 13:29

Vis Kaso i UKV i ka dhënë fund aludimeve dashakeqe dhe lajmeve të qarkulluara në media se disa vlonjatë ishin paraqitur në spital me shenja helmimi.

Ai ka dalë në një reagim publik për të qetësuar opinionin publik, duke garantuar se uji i rrjetit është i pastër dhe plotësisht i sigurt për përdorim dhe se ujin e çezmës e pijnë edhe fëmijët e tij.

Drejtori i ujit me fekale bën të ditur se ky pretendim mbështetet në të dhënat e kontrolleve zyrtare dhe analizave fiziko-kimike të marra në 22 pika të ndryshme monitorimi në qytet. Sipas tij, testimet nuk kanë evidentuar asnjë lloj ndotjeje, përfshirë praninë e amoniakut apo nitriteve, pavarësisht se rezultatet e analizave u bënë publike në rrjet.

Ai pranon se mund të ndodhin raste të izoluara problematikash, të cilat shkaktohen nga ndërhyrjet e subjekteve të ndryshme në rrjet, por thekson se institucioni ndërhyn në kohë rekord për çdo sinjalizim që merr.

REAGIMI I PLOTË

Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.

Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht.

Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.

Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord.

Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.

Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve.

Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt.

*POST SCRIPTUM

Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve.

Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi im (ynë) dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit