Kanë kaluar 27 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, por drejtësia për mijëra viktima vazhdon të mbetet e papërmbushur. Pavarësisht rreth 10 mijë viktimave civile, vetëm 77 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare.
Sipas të dhënave të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga janari i vitit 2024 deri më 1 shtator 2026 janë zgjidhur 17 raste të krimeve të luftës, prej të cilave 13 kanë përfunduar me aktgjykime dënuese. Ndërkohë, 19 raste të tjera vazhdojnë të presin zgjidhje.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka theksuar se një nga pengesat kryesore për drejtësinë mbetet mungesa e bashkëpunimit juridik mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, Serbia vazhdon të refuzojë dorëzimin e personave të dyshuar për krime lufte, duke vështirësuar ndjekjen e tyre penale.
Edhe pse ndryshimet ligjore kanë mundësuar gjykimet në mungesë dhe kanë rritur numrin e aktakuzave, shumë familje vazhdojnë të presin drejtësi për të afërmit e tyre të vrarë gjatë luftës.
27 vjet më vonë, pyetja mbetet: Kur do të vendoset drejtësi për mijëra viktimat e luftës në Kosovë?