Kosova vazhdon të jetë shumë e varur nga produktet e huaja, ndërsa hendeku mes importeve dhe eksporteve mbetet shqetësues. Vetëm gjatë 10 muajve të parë të vitit 2026, vendi ka importuar mallra në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh, ndërsa eksportet nuk kanë arritur as 1 miliard euro, duke u ndalur në 960 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importet janë rritur me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa eksportet kanë shënuar rritje prej 23.9%. Megjithatë, deficiti tregtar ka arritur në 5.34 miliardë euro, duke u thelluar krahasuar me vitin 2025, kur ishte 5.04 miliardë euro.
Ajo që bie në sy është se Kina është kthyer në furnizuesin më të madh të Kosovës, duke lënë pas Gjermaninë. Gjatë periudhës janar–tetor, Kosova ka importuar mallra kineze në vlerë prej 879.4 milionë eurosh, ndërsa nga Gjermania 838.6 milionë euro dhe nga Turqia 740.3 milionë euro. Ndërkohë, nga Shqipëria janë importuar mallra në vlerë prej 225.2 milionë eurosh dhe nga Serbia 195.3 milionë euro.
Sa u përket eksporteve, Shqipëria mbetet tregu kryesor për produktet kosovare, me 182 milionë euro, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 148.6 milionë euro. Vetëm këto dy vende përbëjnë rreth 34.4% të eksporteve totale të Kosovës.
Këto shifra tregojnë se, pavarësisht rritjes së eksporteve, ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht te mallrat e importuara. Kujtojmë se gjatë vitit 2025, importet kishin arritur nivelin rekord prej 7.11 miliardë eurosh, ndërsa të dhënat e këtij viti tregojnë se varësia nga tregjet e huaja mbetet e lartë.