Për të gjithë ata që mendonin se politika shqiptare ka mbetur pa shkëndija humori, Sali Berisha vjen si gjithmonë në shpëtim të sezonit me një nga ato teoritë konspirative që do t’ia kishin zili edhe skenaristët e Hollivudit. Në komunikimin e tij të përjavshëm virtual, Doktori ka zbuluar armikun e ri të demokracisë: poseduesit e megafonit të Flamingove!
Po, e lexuat mirë. Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë dokumentar të National Geographic mbi zogjtë e egër rozë në brigjet e Afrikës, por për një celulë misterioze protestuesish që, sipas kreut të PD-së, janë të paguar aq rëndë saqë ia vlen të pyesësh: ku dorëzohet CV-ja për këtë punë?
Sipas Berishës, e gjithë kjo betejë zhvillohet në “rrafshin psikologjik”. Kur protestuesit i bien shkurt dhe thërrasin në kor "Rama në burg, Berisha në burg", ose lëshojnë atë epitetin e hidhur "opozitë e shitur", mos pandehni se njerëzit janë thjesht të pakënaqur. Jo, jo! Kjo është, sipas Doktorit, arma më e fuqishme e qeverisë për të mbuluar vjedhjet.
Dhe këtu lind problemi i madh psikologjik: Si ka mundësi që Berisha, i cili ka kaluar dekada të tëra duke studiuar psikologjinë e masave, të mposhtet kaq lehtë nga një megafon? Mos vallë zëri përmes tubit plastik ka frekuenca të fshehta që nuk kapen nga radarët e selisë blu?