Një mace ka ndihmuar në zbulimin e një rreziku që mund të ishte kthyer në tragjedi për një familje në periferi të Trevisos, në Itali. Mjaullimat e vazhdueshme dhe sjellja e pazakontë e kafshës kanë ngritur dyshimet e së zonjës, pak para se ajo të përfundonte në spital nga helmimi me monoksid karboni.
Ngjarja përfshin një 29-vjeçare, e cila kishte nisur të ndiente marramendje në banesën e saj, por fillimisht nuk e kuptoi se bëhej fjalë për një rrjedhje gazi. Ndërkohë, macja sillej në mënyrë të pazakontë dhe mjaullinte pa pushim, sikur po përpiqej t'i tërhiqte vëmendjen për rrezikun.
Gruaja u nis për në punë, por gjatë rrugës gjendja e saj u përkeqësua. Ajo u detyrua të ndalonte automjetin dhe të telefononte urgjencën 118. Mjekët dyshuan për helmim nga monoksidi i karbonit dhe e transportuan menjëherë në spitalin Ca’ Foncello në Treviso.
Analizat konfirmuan dyshimet, ndërsa 29-vjeçarja pati nevojë për trajtim në dhomën hiperbarike. Edhe bashkëshorti i saj u dërgua në urgjencë për kontrolle, pasi prania e gazit ishte konstatuar edhe në shkallët e ndërtesës. Ai dhe familjarët që jetonin në katin e sipërm u larguan më vonë nga spitali.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve u zbulua edhe shkaku i rrjedhjes: një kaldajë me defekt, e cila çlironte përqendrime të larta të monoksidit të karbonit.
Në një situatë ku rreziku ishte i padukshëm dhe mund të kishte pasoja fatale, ishin mjaullimat e një maceje ato që tërhoqën vëmendjen dhe ndihmuan në zbulimin e tij.