Sporting Lisbona ka zgjedhur të rikujtojë lidhjen e veçantë me Cristiano Ronaldon, duke i kushtuar një dedikim special pas përfundimit të aventurës së tij me kombëtaren e Portugalisë.
Klubi portugez ka nderuar një prej futbollistëve më të mëdhenj që ka dalë nga akademia e tij, aty ku Ronaldo hodhi hapat e parë drejt një karriere që do ta kthente në një nga ikonat e futbollit botëror.
Ylli portugez u largua nga Sporting në vitin 2003, në moshën 18-vjeçare, për t'u transferuar te Manchester United. Prej atij momenti nisi një rrugëtim i jashtëzakonshëm, i mbushur me trofe, rekorde dhe arritje historike, që e vendosën mes emrave më të mëdhenj të këtij sporti.
Përmes mesazhit të tij, Sporting ka treguar se vitet dhe sukseset e Ronaldos larg Lisbonës nuk e kanë zbehur lidhjen me klubin ku nisi gjithçka. Një dedikim simbolik për futbollistin që dikur veshi fanellën bardhejeshile dhe më pas u kthye në krenari për futbollin portugez.