Policia shoqëron gazetarin holandez që publikoi “Albanian Files”, i hedh spraj gazetares që po filmonte

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.11.2026, 23:39

Një tjetër episod shqetësues është regjistruar gjatë protestës së sotme në Tiranë, këtë herë me protagonist një gazetar të huaj. Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, i njohur për publikimin e “Albanian Files”, është shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa gjatë ndërhyrjes ai dëgjohet teksa u bën të ditur se është gazetar holandez.

Deri më tani nuk ka një shpjegim publik nga Policia për arsyen e shoqërimit të tij apo për statusin ligjor të kësaj mase.

Në të njëjtën kohë, pamjet tregojnë edhe një tjetër moment shqetësues: një gazetare, e cila po filmonte ndërhyrjen e efektivëve, spërkatet me spraj me piper. Pra, ndërsa përpiqej të dokumentonte atë që po ndodhte, edhe ajo u përball me përdorimin e forcës nga uniformat blu.

Vincent van Gerven Oei është një gazetar dhe autor holandez që ka raportuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ai është i lidhur me publikimin “Albanian Files”, i cili trajton çështje që lidhen me politikën, biznesin dhe sektorin e ndërtimit në vend.

Rastet e përsëritura të pengimit dhe dhunës ndaj gazetarëve gjatë protestave kanë ngritur shqetësim edhe te organizatat që monitorojnë lirinë e medias. Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, vetëm gjatë periudhës 13-24 tetor 2026 u dokumentuan 50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, 40 prej të cilave lidheshin me Policinë e Shtetit.

Edhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ka kërkuar hetimin e rasteve të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri.

Shoqërimi i një gazetari të huaj dhe përdorimi i sprajit ndaj një gazetareje që po filmonte ndërhyrjen janë dy episode që shtojnë shqetësimet për sigurinë e përfaqësuesve të medias gjatë protestave. Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për ngjarjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit