Punonjësit e Policisë në Itali mund të lënë përkohësisht mënjanë uniformat dhe pajisjet e ndërhyrjes për t'iu bashkuar protestave në rrugë, këtë herë jo për të përballuar demonstruesit, por për të kërkuar të drejtat e tyre dhe një pension dinjitoz.
Lajmi është bërë publik nga gazeta italiane “La Repubblica”, në një artikull të gazetares Alessandra Ziniti, e cila raporton se pakënaqësia mes punonjësve të Policisë është rritur për shkak të premtimeve të pambajtura nga qeveria e Giorgia Melonit.
Pietro Colapietro, sekretari i përgjithshëm i sindikatës SILP CGIL, ka konfirmuar se punonjësit e Policisë do të jenë në shesh më 20 nëntor, në kuadër të mobilizimit dhe grevës së përgjithshme të thirrur nga CGIL.
Shkak për këtë revoltë është bërë mungesa e fondeve për krijimin e një skeme të posaçme pensioni për punonjësit e sektorit të sigurisë, pavarësisht angazhimeve të mëparshme të qeverisë. Efektivët kërkojnë që vitet e shërbimit dhe natyra e veçantë e punës së tyre të reflektohen edhe në trajtimin financiar pas daljes në pension.
Por kjo situatë në Itali ngre edhe një pyetje për Shqipërinë.
Prej vitesh, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të shumta nga punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë ngritur shqetësime për kushtet e punës, oraret e zgjatura, pagesat e vonuara për orët shtesë, dietat, kompensimin e ushqimit dhe presionet që pretendojnë se përballen kur kërkojnë të drejtat e tyre.
Në një kohë kur në Shqipëri mijëra qytetarë dhe të rinj vijojnë protestat kundër qeverisë, ndërsa efektivët janë të angazhuar çdo ditë për të përballuar tubimet, rasti italian rikthen në vëmendje edhe të drejtat e vetë punonjësve të Policisë.
A do të vijë një ditë kur edhe efektivët shqiptarë do të lënë kaskat dhe uniformat e ndërhyrjes për të dalë në shesh e për të kërkuar të drejtat e tyre, apo pakënaqësitë e tyre do të vazhdojnë të mbeten vetëm në denoncimet anonime që mbërrijnë në redaksitë e mediave?