Një nga grupet e mëdha bankare në Francë, “Crédit Mutuel Arkéa”, është bërë objekt i një sulmi të sofistikuar kibernetik, përmes të cilit hakerat arritën të transferonin në mënyrë të paligjshme mbi 100 milionë euro drejt institucioneve të tjera financiare.
Sipas njoftimit të vetë bankës, autorët shfrytëzuan platformën e një kompanie partnere për të depërtuar në sistemin e saj dhe përdorën llogarinë e vetë institucionit për të kryer transfertat. Paratë nuk u morën nga llogaritë e klientëve, por nga fondet e bankës.
Mediat franceze raportojnë se shuma mund të arrijë në rreth 118 milionë euro, megjithatë banka nuk e ka konfirmuar këtë shifër si përfundimtare, duke pranuar vetëm se dëmi është i këtij rendi madhësie.
Pas transferimit, fondet u orientuan drejt platformave të këmbimit të kriptomonedhave. Një pjesë e tyre është arritur të bllokohet, ndërsa banka po përpiqet të rikuperojë pjesën tjetër.
Drejtuesit e “Crédit Mutuel Arkéa” e kanë cilësuar ngjarjen si një sulm të sofistikuar nga jashtë dhe kanë përjashtuar mundësinë që transfertat të jenë kryer për shkak të një gabimi njerëzor. Ata kanë siguruar gjithashtu se paratë e klientëve nuk janë prekur, megjithëse disa shërbime të transfertave u pezulluan përkohësisht si masë sigurie.
Ndërkohë, Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim për “sulm ndaj një sistemi të automatizuar të përpunimit të të dhënave në kuadër të një grupi të organizuar”. Hetimet i janë besuar strukturës franceze kundër krimit kibernetik, ndërsa identiteti i autorëve dhe mënyra e saktë e ndërhyrjes mbeten ende të paqarta.