Një incident i pazakontë është regjistruar në Santiago të Kilit, ku një 19-vjeçar është goditur papritur nga një rrotë makine, teksa po ecte në trotuar.
Ngjarja ndodhi më 29 tetor, në zonën e Providencias, në bulevardin Los Leones. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur rrota shkëputet nga një automjet në lëvizje, përplaset fillimisht me dy makina të tjera dhe më pas del me shpejtësi drejt trotuarit, duke goditur fort të riun që po kalonte aty.
Nga përplasja, studenti 19-vjeçar rrëzohet në tokë, ndërsa kalimtarët nxitojnë t'i japin ndihmën e parë. Ai pësoi dëmtime në pjesën e ballit dhe në kraharor, por fatmirësisht nuk pati lëndime të rënda.
Pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën edhe shërbimet e sigurisë bashkiake, ndërsa i riu u transportua në një klinikë për ekzaminime të mëtejshme.
Autoritetet kanë identifikuar automjetin nga i cili u shkëput rrota dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e incidentit. Sipas mediave vendase, drejtuesi i mjetit u shpreh se kishte dalë pak më parë nga një servis mekanik në afërsi të zonës.
Deri më tani nuk është përcaktuar nëse shkëputja e rrotës erdhi si pasojë e një defekti mekanik apo e ndonjë neglizhence në mirëmbajtjen e automjetit.