Kamerat inteligjente “në gjueti” të shoferëve në Kosovë, gjobat vijnë edhe me SMS! Me 9 pikë negative mbeteni një vit pa patentë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 05.11.2026, 18:10

Shoferët në Kosovë po përballen me një sistem gjithnjë e më të avancuar të kontrollit të trafikut. Kamerat inteligjente dhe radarët mundësojnë identifikimin e shkeljeve në komunikacion, ndërsa gjobat mund të shqiptohen edhe pa u ndalur drejtuesi i automjetit nga Policia.

Në Prishtinë, kamerat tashmë evidentojnë shkelje si kalimi në semafor të kuq, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, ndërrimi i parregullt i shiritit dhe mosrespektimi i përparësisë së këmbësorëve. Në gusht u paralajmërua zgjerimi i monitorimit edhe në 34 lokacione të tjera, si dhe vendosja e radarëve për matjen e shpejtësisë.

Nga 19 tetori 2026, Policia e Kosovës ka funksionalizuar edhe një shërbim të avancuar në platformën e-Kosova, përmes të cilit qytetarët njoftohen me SMS sapo një gjobë regjistrohet në sistem. Ata mund të kontrollojnë gjobat e papaguara, pikët negative dhe masat mbrojtëse ndaj patentë-shoferit.

Por kujdes, shoferë! Sipas ligjit në fuqi, grumbullimi i të paktën 9 pikëve negative sjell ndalim të drejtimit të automjetit për 12 muaj. Në rast përsëritjeje, sipas kushteve të përcaktuara me ligj, shoferi rrezikon edhe anulimin e patentës.

Ky sistem ka ngritur edhe shqetësime për njoftimin e qytetarëve, veçanërisht atyre që udhëtojnë jashtë Kosovës. Policia ka sqaruar se gjobat dërgohen në adresën zyrtare të pronarit, ndërsa qytetarët këshillohen t'i kontrollojnë përmes e-Kosova për të shmangur vonesat dhe problemet gjatë procedurave të verifikimit.

A mendoni se kamerat inteligjente do t'i ulin aksidentet apo do t'i rëndojnë edhe më shumë xhepat e shoferëve?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit