Franca rindizet nga protestat, përplasje të dhunshme me policinë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 05.11.2026, 17:32

Franca është përfshirë sërish nga protesta masive kundër qeverisë dhe Presidentit Emmanuel Macron. Policia franceze përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyri me forcë ndaj protestuesve në qytetin e Lionit, gjatë demonstratave që u zhvilluan të enjten në disa qytete të vendit.

Në pamjet nga protesta shihen demonstrues që përballen me efektivët e policisë, duke bërtitur në drejtim të tyre. Një pjesë e protestuesve ishin të veshur me të zeza dhe mbanin fytyrat të mbuluara.

Ministria e Brendshme franceze bëri të ditur se në Lion policia ishte përballur me disa qindra protestues radikalë, ndërsa pretendoi se situata ishte vënë nën kontroll. Megjithatë, tensionet vijonin të mbeteshin të larta.

Protestat mbarëkombëtare, të shoqëruara edhe me një grevë të punonjësve të sektorit publik, janë organizuar me thirrjen e sindikatave dhe mbështetjen e grupeve studentore. Pakënaqësitë lidhen me rritjen e kostos së jetesës, përkeqësimin e shërbimeve publike dhe problematikat në arsim.

Situata është përshkallëzuar pas disa javësh trazirash, të cilat kanë shkaktuar një nga valët më të rënda të tensioneve civile që Franca ka përjetuar ndër vite.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme raportoi edhe një incident pranë Tuluzës, ku persona që hodhën fishekzjarrë shkaktuan zjarr në një shkollë të mesme. Si pasojë, nxënësit dhe stafi u detyruan të evakuonin ndërtesën, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë për të shuar flakët. Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, e cilësoi ngjarjen si një akt kriminal.

Përplasje mes protestuesve dhe policisë së trazirave pati edhe në Paris, ku nxënës të shkollave të mesme dhe demonstrues të tjerë bllokuan një rrugë me kosha plehrash.

Demonstratat nisën që në orët e para të mëngjesit në Lion, Marsejë dhe Nantë, ndërsa protesta kryesore në Paris ishte parashikuar të niste në orën 14:00, nga sheshi Place de la République.

Greva preku edhe sektorin e turizmit, duke sjellë mbylljen e Kullës Eiffel gjatë ditës së enjte.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit